Të gjithë individët e punësuar në Kroaci kanë të njëjtat të drejta në punë, duke përfshirë këtu punëtorët nga vendet e tjera. Gjithmonë e më shumë, punëtorët e huaj, kryesisht shtetas nga vendet e treta, po na drejtohen me ankesa për shkelje të të drejtave të tyre në punë.
Ata shpesh denoncojnë se kanë punuar pa leje pune, pa kontratë punësimi, se punëdhënësi i tyre nuk u ka paguar pagën për të cilën kanë rënë dakord, ndonjëherë as pagën minimale apo orët e punës shtesë. Ata gjithashtu përmendin se u janë mohuar pushimet e shkurtra gjatë ditës së punës, pushimet ditore ose javore si dhe e drejta për pushimet vjetore. Disa ankohen se, pas përfundimit të marrëdhënies së punës, punëdhënësi i tyre nuk u ka paguar kompensim për pushimet vjetore të pakonsumuara. Ata gjithashtu janë ankuar se punëdhënësi i tyre nuk u ka dhënë pasqyrën e pagës dhe disa kanë nxjerrë në pah incidente me lëndime në vendin e punës, të cilat punëdhënësi i tyre nuk i ka raportuar te Instituti Kroat për Sigurimin Shëndetësor. Disa na kanë kontaktuar edhe për ngacmim në vendin e punës.
Këto ankesa nxjerrin në dritë edhe faktin se shpesh punëtorët nuk kanë informacion ku të drejtohen për të mbrojtur të drejtat e tyre. Prandaj, në tekstin më poshtë ne japim një panoramë të përgjithshme të problematikave më të zakonshme dhe informacion ligjor të përgjithshëm që ne ua japim shpesh punëtorëve të huaj, duke përfshirë të dhënat e kontaktit të institucioneve përkatëse. Ky informacion vlen për të gjithë individët e punësuar në Kroaci, pavarësisht shtetësisë së tyre, por në këtë tekst ne theksojmë punëtorët e huaj, shtetasit e vendeve të tjera, për disa arsye: rritja e numrit të punëtorëve të huaj në Kroaci, numri në rritje i ankesave që kanë dorëzuar te ne punëtorët e huaj, mungesa e informacionit nga ana e tyre për të drejtat në punë dhe pamjaftueshmëria e informacionit të disponueshëm publik që të jetë specifik për ta.
Problemi:
- puna e padeklaruar (puna pa leje pune, pa kontratë pune, pa u deklaruar në autoritetet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore)
- puna pa pushim gjatë ditës ose pa pushime ditore ose javore
- orët e punës shtesë të paligjshme ose të papaguara
- mospagesa e pagës
- mospagesa e kompensimit për pushimet vjetore të pakonsumuara pas përfundimit të punësimit
- mosdhënia e pasqyrës së pagës që punëdhënësi ka detyrimin të paguajë dhe për pagën e papaguar dhe/ose për kompensimin e pushimeve vjetore të pakonsumuara
Çfarë mund të bëni? Këto probleme duhet të denoncohen te Inspektorati Shtetëror i Punës i Republikës së Kroacisë.
Si ta bëni denoncimin? Duke përdorur formularin në faqen e internetit të Inspektoratit Shtetëror të Punës. Formularin e gjeni këtu.
Për më shumë informacion si të depozitoni një denoncim, mund të kontaktoni inspektorin e punës në detyrë në Zagreb, Split, Rijekë, Osijekë ose Varaždin. Kontaktet e tyre dhe oraret e tyre të punës i gjeni këtu.
Çfarë duhet të përfshini në denoncim:
- emrin dhe mbiemrin tuaj
- adresën e vendbanimit
- shtetësinë (në rast se jeni punëtor i huaj)
- informacionin për punëdhënësin (emrin e shoqërisë dhe adresën ose emrin dhe mbiemrin e punëdhënësit person fizik ose të pronarit të biznesit)
- të gjitha faktet dhe rrethanat përkatëse gjatë kohës që keni qenë i punësuar te punëdhënësi juaj
- nëse është e mundur, bashkëngjitni kontratën e punës (nëse keni kontratë pune).
A do të mbahet i fshehtë identiteti i individëve denoncues nga Inspektorati i Punës? Sipas Ligjit “Për inspektoratin e punës”, inspektorët kanë detyrimin ta mbajnë të fshehtë identitetin e paditësit (denoncuesit), “me përjashtim të rastit kur kjo gjë është e pamundur nisur nga natyra e çështjes ose kur kjo gjë parashikohet me ligj të posaçëm.” Janë të mundura edhe denoncimet anonime.
A do të njoftoheni se çfarë ka bërë Inspektorati i Punës lidhur me denoncimin tuaj? Në rast se doni të merrni informacion se çfarë ka vendosur ose çfarë masash ka marrë Inspektorati i Punës kundër punëdhënësit tuaj, duhet t’i jepni inspektorit të punës emrin dhe mbiemrin tuaj, adresën ku banoni në Kroaci ose jashtë saj (në rast se punëtori i huaj e ka lënë territorin e Kroacisë).
A duhet që punëdhënësi të denoncohet nga punëtori apo mund ta bëjë dikush tjetër? Jo, denoncimin mund ta bëjë kushdo, edhe dikush që nuk ka marrëdhënie punësimi me punëdhënësin në fjalë, nëse personi beson se punëdhënësi nuk i trajton punëmarrësit e tij në pajtim me ligjin.
Problemi: ju besoni se punëdhënësi juaj ju ka çregjistruar (nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore) pa dijeninë tuaj.
Çfarë mund të bëni? Për të verifikuar nëse punëdhënësi juaj ju ka çregjistruar pa ju vënë në dijeni ose pa ju dhënë një kopje të formularit përkatës, mund të kontaktoni zyrën më të afërt të Institutit Kroat për Sigurimet Shoqërore (të pensionit) (HZZO).
Si mund t’i kontaktoni ata?
- duke plotësuar formularin në internet, të cilin e gjeni këtu
- me telefon ose duke u paraqitur vetë – mund të gjeni numrin dhe adresën këtu, duke kërkuar sipas qytetit (aty janë renditur edhe oraret e punës në qytetin për të cilin po kërkoni).
Çfarë ndodh nëse punëdhënësi ju ka çregjistruar vërtet pa dijeninë tuaj? Mund ta denonconi atë te Inspektorati i Punës (në mënyrën siç është përshkruar më lart).
Problemi: mospagesa e pagës.
Çfarë mund të bëni? Nëse punëdhënësi ju detyrohet paga që nuk i keni marrë, mund të kërkoni pagesën nëpërmjet Agjencisë Financiare (FINA) nëse keni një llogaritje të pagave që ju detyrohen ose të pagave të papaguara. Punëdhënësi ka detyrimin t’jua japë këtë llogaritje.
Më pas, mund ta dërgoni këtë llogaritje te FINA për ta zgjidhur çështjen pa kaluar nga procedurat gjyqësore. Kjo gjë është e mundur sepse sipas nenit 93 paragrafi 5 i Kodit të Punës, llogaritja e pagave që ju detyrohen ose e pagave të papaguara është dokument i ekzekutueshëm.
Përveç kësaj, mund ta denonconi punëdhënësin tuaj te Inspektorati i Punës (në mënyrën e përshkruar më lart).
Çfarë ndodh nëse punëdhënësi nuk jua jep llogaritjen e pagës ose nuk paguan edhe pas inspektimit? Në këtë rast, mund të nisni procedurat gjyqësore, për të cilat do të keni nevojë për ndihmën ligjore të një avokati ose një sindikate (nëse jeni anëtar sindikate). Informacionin se kush ka të drejtën të marrë ndihmë ligjore falas dhe si mund ta merrni atë, e gjeni këtu.
Çfarë afati keni për të kërkuar pagat e papaguara? Mund t’i kërkoni këto paga brenda një afati prej pesë vitesh, afat që fillon nga dita ku punëdhënësi ka pasur detyrimin për të paguar pagën.
Më shumë informacion për mospagesën e pagave mund të gjeni në tekstin këtu.
Problemi: pagesa e pagave ose e një pjese të pagës “nën dorë” në vend që të paguhen në llogarinë bankare të punëtorit.
Çfarë mund të bëni? Kjo mënyrë pagese është e paligjshme dhe mund ta denonconi punëdhënësin tuaj në Administratën Tatimore të Ministrisë së Financave.
Si ta bëni denoncimin? Denoncimin mund ta bëni nëpërmjet njërës prej këtyre mënyrave:
- me postë në njërën prej adresave në këtë faqe, në varësi të qytetit ku jeni ose në adresën më të afërt
- duke përdorur formularin që e gjeni këtu
- duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 1001 (nga e hëna deri të premten, nga ora 8:00 deri në orën 15:00).
A do t’ju njoftojë Administrata Tatimore nëse ka vepruar dhe si ka vepruar me denoncimin tuaj? Jo, inspektorët tatimorë nuk kanë detyrimin t’ju informojnë sepse me ligj ata kanë detyrimin të mbajnë fshehtësinë për kontrollet tatimore (sipas Ligjit të Përgjithshëm për Tatimet, neni 8).
Problemi: lëndimet në vendin e punës që punëdhënësi nuk i ka deklaruar në Institutin Kroat për Sigurimet Shëndetësore (HZZO).
Çfarë mund të bëni? Në rastet ku punëmarrësi ka pësuar lëndime në vendin e punës, punëdhënësi ka detyrimin ligjor ta deklarojë këtë lëndim në vendin e punës te autoriteti kompetent, i cili është Instituti Kroat për Sigurimet Shëndetësore (HZZO), brenda 8 ditëve nga data kur ka ndodhur lëndimi.
Punëmarrësi, qoftë ky edhe i huaj, mund ta deklarojë vetë, por jo më vonë se brenda tre viteve nga skadimi i afatit në të cilin këtë deklarim duhej ta bënte punëdhënësi. Nëse mendoni se është e nevojshme, para se ta deklaroni vetë lëndimin në vendin e punës, mund të merrni më shumë informacion pranë zyrës më të afërt të HZZO-së ose këtu.
Problemi: ngacmimi në vendin e punës (mobbing)
Si ta dalloni ngacmimin (mobbing)? Pavarësisht se nuk ka një përkufizim ligjor për ngacmimin në vendin e punës (mobbing), me këtë term zakonisht kuptojmë çdo lloj forme të dhunës në vendin e punës të karakterizuar nga abuzimi psikologjik ose moral.
Këtu mund të hyjnë format e ndryshme të shmangies, izolimit dhe pengimit të të pasurit të kontakteve në punë, sulmet ndaj reputacionit të personit ose komentet negative për karakteristikat personale të viktimës.
Si shembuj mund të përmendim kritikat dhe ankesat e vazhdueshme për punën e dikujt, fyerjet ose shpërfilljen, kontrollin e tepërt, zhvendosjen e përgjegjësive, ndëshkimin, vlerësimin e ulët për punën, paaftësinë për t’u ngritur në karrierë, mohimin ose caktimin e detyrave të papërshtatshme dhe/ose të ndaluara, transferimet e pajustifikuara dhe veprime të ngjashme që dëmtojnë shëndetin e punëmarrësit ose shkelin të drejtat e tij.
Ku duhet të ankoheni? Hapi i parë është t’i drejtoheni punëmarrësit, me saktë personit të autorizuar për të marrë dhe zgjidhur ankesat e lidhura me dinjitetin e punëmarrësve. Në rast se punëdhënësi nuk ju jep mbrojtjen e duhur ose nuk merr masat për të parandaluar bullizmin në vendin e punës ose në rast se këto masa janë të papërshtatshme, mund të kërkoni më tej mbrojtjen e dinjitetit tuaj me proces gjyqësor. Për këtë, mund të keni nevojë për ndihmën ligjore të një avokati ose të sindikatës (nëse jeni anëtar sindikate). Informacionin për ndihmën ligjore falas mund ta gjeni këtu. Në këto procedura gjyqësore, mund të kërkoni kompensim edhe për dëmet morale për shkak të shkeljes së të drejtave të personalitetit të shkaktuar nga bullizmi në vendin e punës.
Përveç kësaj, pavarësisht faktit nëse marrëdhënia juaj e punësimit vazhdon apo ka përfunduar ndërkohë, është e mundur të bëni padi penale në komisariatin më të afërt të policisë kundër personit që është sjellë ose sillet në këtë mënyrë kundrejt jush. Fyerjet, poshtërimi dhe abuzimi që dëmton shëndetin e dikujt ose shkel të drejtat e tij për të punuar mund të përbëjnë veprën penale të “Abuzimit në vendin e punës”, vepër e parashikuar në nenin 133 të Kodit Penal të Republikës së Kroacisë. Në varësi të rrethanave të rastit individual, do të përcaktohet nëse janë përmbushur elementet e një vepre penale.
Në fund, mund të kontaktoni Shoqatën për Ndihmën dhe Edukimin e Viktimave të Mobbing-ut në Zagreb, Domobranska 4 (email: udruga.mobing@zg.t-com.hr; telefon: 01/3907 301). Te kjo shoqatë mund të merrni më shumë informacion për alternativat në dispozicion të viktimave të bullizmit në vendin e punës, si për ndihmë ligjore ashtu edhe për mbështetjen e mundshme psikologjike.
Problemi: diskriminimi
Si ta dallojmë diskriminimin? Diskriminimi mund të ndodhë nëse punëdhënësi ose kolegët tuaj në vendin e punës ose dikush tjetër jashtë punës, ju vënë në pozitë të pafavorshme krahasuar me punëmarrësit e tjerë për shkak të: racës ose origjinës tuaj etnike, ngjyrës së lëkurës, fesë, gjuhës, origjinës tuaj kombëtare ose shoqërore, anëtarësisë në një sindikatë, situatës pasurore, arsimit, besimit politik ose besimeve të tjera, situatës shoqërore, moshës, situatës shëndetësore ose trashëgimisë gjenetike, aftësisë së kufizuar, identitetit dhe shprehjes gjinore, orientimit seksual dhe gjendjes tuaj civile ose familjare.
Këto karakteristika quhen shkaqe për diskriminim dhe rregullohen nga Akti Kundër Diskriminimit.
Ku duhet ta denonconi diskriminimin? Kjo varet nga bazat e diskriminimit që ju vendosën në pozitë të pafavorshme.
Mund të dërgoni një ankesë te Avokatja e Popullit, nëse diskriminimi bazohet te pjesa më e madhe e arsyeve të lartpërmendura. Kur vjen puna te shkaqet me bazë aftësinë e kufizuar, gjininë, identitetin dhe shprehjen gjinore, orientimin seksual, gjendjen civile ose familjare, mund të dërgoni ankesë te njëri prej Avokatëve të Popullit të specializuar (siç shpjegohet më poshtë).
Mund të na e dërgoni ankesën:
- me postë në adresën (Savska cesta 41/3, 10 000 Zagreb)
- me email në adresën info@ombudsman.hr
- me formularin që mund të hapet në format PDF dhe Word
- personalisht (me njoftim dhe takim paraprak) në zyrat tona në Zagreb, Rijekë, Osijekë ose Split – kërkesa për takim bëhet në adresën info@ombudsman.hr ose duke telefonuar numrin 01 4851 855 (Zagreb), 051 563 786 (Rijekë), 031 628 054 (Osijekë), ose 021 682 981 (Split).
Në ankesë duhet të shkruani:
- emrin dhe mbiemrin e ankuesit dhe/ose personit të cilit i janë dhunuar të drejtat
- adresën e vendbanimit ose adresën ku doni të merrni përgjigje
- rrethanat dhe faktet ku bazohet ankesa (duke përfshirë dokumentacionin përkatës nëse është e mundur)
- informacion se kush po ju diskriminon
- informacion nëse janë përdorur rrugët ligjore dhe kur janë regjistruar ato
- nënshkrimin e ankuesit ose miratimin e nënshkruar të personit në emër të të cilit depozitohet ankesa.
Në rast se diskriminimi bazohet te aftësia e kufizuar, mund të dërgoni një ankesë te Avokatja e Popullit për personat me aftësi të kufizuar, duke përdorur udhëzimet në këtë faqe.
Në rast se diskriminimi bazohet te gjinia, identiteti dhe shprehja gjinore, orientimi seksual ose te gjendja civile ose familjare, mund ta dërgoni ankesën te Avokatja e Popullit për barazinë gjinore, duke përdorur udhëzimet në këtë faqe.
Në cilindo prej këtyre rasteve, ju mundet gjithashtu:
- të verifikoni nëse kualifikoheni për ndihmë ligjore falas
- të konsultoheni me një avokat të zgjedhur prej jush
- të kërkoni zgjidhje ligjore në gjykatë.
Rekomandimet e Avokates së Popullit që synojnë forcimin e të drejtave të punëtorëve (nga Raporti Vjetor i Avokates së Popullit për vitin 2022):
- Për Zyrën e të Drejtave të Njeriut dhe të të Drejtave të Pakicave Kombëtare: të informojë punëtorët e huaj për të drejtat e tyre në sistemet e ndryshme të mbrojtjes së të drejtave në faqen e saj të internetit si dhe me broshura, fletëpalosje dhe mjete të ngjashme
- Për Inspektoratin Shtetëror: të shtojë monitorimin e ligjshmërisë së punësimit dhe të kushteve të punës si dhe kushtet në të cilat punojnë shtetasit e vendeve të treta.
Novosti
- Obavijest o rezultatima prve faze pisanog testiranja provjere znanja, sposobnosti i vještina
- Konferencija o ljudskim pravima – implementacija međunarodnih preporuka upućenih RH
- Seminar o zaštiti prijavitelja nepravilnosti
- Obavijest o testiranju
- Obilježavanje Dana sjećanja na žrtve Domovinskog rata i Dana sjećanja na žrtvu Vukovara i Škabrnje
- Sastanak Mreže neovisnih institucija nadležnih za pritužbe na policiju